Marselino: kam shkuar me 500 femra

 

Kur hyri në shtëpinë e “Big Brother”, mbante me vete një sekret shumë të diskutueshëm. Tani që ka dalë të gjithë e kanë mësuar se zhigoloja është ai, Marselino. Që në momentin e parë kur hyri në shtëpi, ra në sy për pamjen dhe trupin prej modeli. Në fakt ata që kanë qenë të vëmendshëm ndaj spektakleve të bukurisë e kishin si fytyrë të parë. Që nga viti 2005 kur kishte marrë pjesë në “Misster Albania” dhe kishte dalë në 5-en më të mirë, jeta e tij kishte marrë zhvillime dhe dimensione të tjera. Zhvillime këto që për familjen dhe miqtë e tij kishin mbetur sekret. U desh konkurrimi në një reality show si “Big Brother”, që të hapej libri i jetës së tij. Këtë herë nuk do ta merrte vesh vetëm familja dhe bashkëshortja e tij aktuale, por edhe publiku. Por Marselino nuk ndihet i penduar për këtë zbulim të sekretit të tij. Ai pohon se ka bërë një punë, që e ka shfrytëzuar për t’i sjellë të ardhura. Ka arritur të ketë përfitimet e veta monetare dhe më pas i ka dhënë fund kësaj eksperience. Në këtë rrëfim për fundjavën e “Shekulli”-t ai na tregoi disa sekrete të punës së tij 2-vjeçare në Itali si zhigolo. Tregon se ka shkuar me rreth 500 femra të moshës mbi 35 vjeçe e lart. Është paguar më shumë se 500 euro në natë dhe disa prej tyre kanë rënë në dashuri me të. “Një punonjëse e Këshillit të Ministrave në Itali është ndarë nga bashkëshorti, si dhe një gazetare e gazetës “La Repubblica”. U divorcuan nga bashkëshortët e tyre”, tregon Marselino. Marselin, e kishit ndjekur më parë “Big Brotherin” në Shqipëri? E njoh si format, sepse kam ndjekur ato të huajat, por në Shqipëri nuk kam pasur mundësi ta ndjek asnjëherë. Ishte hera e parë që e pashë në fakt, dhe këtë herë duke qenë pjesë e tij. Po ta vini re kam rënë edhe në peshë gjatë kohës së qëndrimit aty, jam futur 92 kg dhe tani jam 85. Ndoshta presioni që përjeton njeriu aty brenda. Pse morët pjesë në të? E pashë si një mundësi për t’u njohur e për të ardhur e jetuar në Shqipëri. Unë jetoj në Itali ndërsa familja ime këtu. Futjen në “Big Brother” e pashë si mundësi, pse jo edhe për t’u punësuar këtu edhe për të filluar të ndërtoj një jetë timen në Tiranë, ku kam djalin dhe bashkëshorten. Nuk mund ta marr familjen andej, pasi kam qenë i martuar me një italiane për efekt dokumentesh dhe nuk mund të bëja bashkim familjar, ndaj mendova që e ardhmja ime do të ishte këtej. Emigrimi nuk është se të jep shumë mundësi. Si vendi jot nuk ka me thënë të drejtën. Të duket vetja si ai zogu shtegtar që kthehet në fole një ditë, edhe unë u ktheva. Thashë, sa nuk jam ende vonë, po kthehem. Kur thoni që dua të filloj punën, çfarë pune synoni? Po këtë botën e spektaklit e kam pasur dëshirë të madhe, për të qenë pjesë në të. Kam marrë pjesë edhe në konkursin “Misster Albania” në vitin 2005. Pastaj ika jashtë, u përqendrova në gjëra të tjera që i dhanë dimensione të tjera jetës sime. Sa vjeç ishit kur emigruat në Itali? U largova për në Itali sa mbusha 18 vjeç. Largimi ndodhi pasi unë kisha marrë pjesë në spektaklin e bukurisë, isha aktivizuar në disa sfilata dhe në dy videoklipe, e më pas shkova në Itali. Mendova se edhe andej do të gjeja hapësira në këtë fushë, por nuk ishte aspak e lehtë. Emigrimi nuk është “fushë me lule” siç shihet në programet televizive. Në fillim punova si “pllakaxhi”, domethënë shtroja pllaka në ndërtim. Pastaj ngela pa punë në mes të katër rrugëve, përkrahje nuk kisha dhe mendova të profilizohesha në të tjera punë. Sekreti juaj në këtë garë ishte që kishit punuar si zhigolo në Itali. Menduat që do të merrte përmasa kaq të mëdha, e do të diskutohej kaq shumë kjo gjë? Kam pasur pak merak në fakt, se si do ta priste familja ime dhe se si do të përcillej kjo gjë tek ata. Ishte sekret për të gjithë. Në ç’rrethana vendosët të merreshit me këtë punë? Sepse ngela pa punë, në mes të katër rrugëve. Unë nuk kisha profesion, dokumente nuk kisha. Shkoja të kërkoja punë të ndryshme dhe në momentin që thoja jam klandestin nuk më merrte njeri, dhe thashë po merrem me këtë gjë, dhe ia dola mbanë më së miri sepse dija ta menaxhoja veten shumë mirë. Jam sjellë në mënyrë korrekte që të krijoja një tip të vlefshëm atje. Unë kam qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, duke marrë pjesë në mbrëmje të ndryshme dhe në festa mondane me personalitetet e ndryshme. Në cilin qytet keni jetuar? Romë. Si është puna e zhigolosë? Të bësh atë lloj profesioni duhet të jesh artist mbi të gjitha. Duhet të kesh vullnet, intelekt, prezencë. Në atë kohë gati 80% të fitimeve të mia i harxhoja vetëm për veshje. Veshja e mirë të bënte të bie shumë në sy, prezenca serioze intelektuale… Kam pasur një profil të respektuar në mënyrë absolute. Dhe ku e ushtronit këtë profesion që ju e quani prej “artisti”? Në shumë festa të ndryshme, që nga ato të grave të ambasadorëve e deri te avokatet e profesionet e tjera. Kishte gra që i kishin burrat me punë larg familjes, si pilotë apo me shërbime shtetërore. Për ato nuk ishte problem të të paguanin dhe të shkoje me to. Bëhet fjalë për shtresa të ngritura dhe këtë punën e pagesës që më bënin e konsideronin si dhuratë dhe jo si faturë për të paguar. Ka pasur ndonjë personalitet të njohur në Itali që ka kërkuar shoqërinë tuaj? Ka pasur, por evitoj në mënyrë absolute të them emra këtu sepse mund të krijoj shumë debate të tjera. Po ka pasur emra me goxha pozitë. Klientet më llastonin, dashuroheshin me mua Marselino, gjatë kohës që e bënit këtë punë, e kishit të vështirë ta ruanit këtë sekret edhe për familjen? Për mua u bë pjesë e ditës dhe në atë kohë unë e merrja si diçka që ishte pjesë e realitetit. Ka pasur edhe shumë djem të tjerë që e bënin këtë punë. Kanë qenë italianë, kubanë, brazilianë. Diçka konkrete; shokët e mi dilnin nëpër diskoteka dhe paguanin shumë lekë për të dalë me femra ndërsa me mua ndodhte e kundërta; paguanin ato. Pastaj krijova edhe një klientelë të rregullt timen. Domethënë krijova pozitë tamam, sepse ishte për shembull një avokate që sillte një mikeshën e vet, e kështu me radhë. Më merrnin dhe jashtë shtetit me pushime, pasi kishin dëshirë të më kishin thjesht si prezencë pranë vetes. E ke shijuar këtë punë? E kam shijuar në mënyrë shumë të shthurur. Në çdo moment dhe sekondë e kam shijuar në maksimum dhe nuk më ka munguar asnjë lloj gjëje. Kam qenë pak i llastuar me thënë të drejtën me këto femra, ato më llastonin shumë. Ka pasur shumë kliente që janë dashuruar me mua. Është ndarë ndonjëra nga bashkëshorti për ju? Po ka qenë njëra që punonte në Këshillin e Ministrave. Ishte nga Fogia dhe burri i punonte në një kompani fluturimi. Ajo u nda se u dashurua me mua. Të njëjtën gjë ka pasur edhe një gazetare e “La Reppublica”-s, ajo ishte nga Kalabria. Po ju, u dashuruat me ndonjërën prej tyre? Absolutisht jo. Arrin një moment kur njeriu shikon vetëm atë pjesën e përfitimit. Çdo femër e shihja si një mundësi për të përfituar nga ajo dhe për të ecur përpara. Psikologjikisht jam ndjerë gjithmonë i mbështetur. Shumica e femrave që vinin kishin probleme me familjen, me bashkëshortët. Cilat ishin moshat që vinin tek ju? Moshat ishin nga 35 deri në 50 vjeçe. I evitoja moshat më të mëdha, nuk ndihesha mirë. Për sa kohë e bëtë këtë punë? Për gati 2 vjet nga 2005-a deri në 2007-ën. Sa femra keni pasur? Mund të kem pasur mbi 500 femra. Pse hoqët dorë? Po bëra dokumentet se u martova me një italiane vetëm për to, pagova një 5 mijë eurosh dhe fillova të merresha me menaxhim lokali. Erdhi një moment kur unë thashë mjaft, mjaft se u lodha me atë jetë ashtu. Arrin një moment që ndërgjegjësohesh dhe nuk mund ta bësh përgjithmonë. Unë e shfrytëzova këtë punë atëherë kur kisha nevojë. Jeta e re me bashkëshorten dhe djalin “Ajo është një njeri i përkryer për mua” Por si e ka pritur bashkëshortja këtë sekret tani që Marselino ka dalë jashtë shtëpisë? Tregon se e ka kuptuar dhe ishte i bindur që do ta kuptonte. Nuk ia ka treguar më parë pasi nuk donte ta lëndonte. E kaluara është mbyllur për Marselinon dhe nuk kthehet më pas. Familjen tuaj aktuale kur e krijuat? Përpara tre vitesh. Jemi njohur në “facebook”. Ne kemi katër vite që njihemi gjithsej, por tre vite që jemi bashkë. Dashuria platonike ndonjëherë është më e fortë. Sapo jemi takuar për herë të parë, unë ndjeva drithërimën që nuk e kisha ndjerë kurrë. Pse nuk ia kishit treguar bashkëshortes punën e zhigolosë? Nuk më dukej korrekte nga ana ime dhe mund ta lëndoja personin që kisha në krahë, por duke e njohur atë çdo ditë e më shumë, kjo frikë m’u largua dhe tani që u futa në “Big Brother” vendosa ta tregoj. Ajo është një njeri i përkryer dhe mua më befason çdo ditë e më tepër. Tani që ju dolët, është treguar kurioze? Që darkën që kam dalë dhe deri dy ditë më parë kam qenë duke i treguar gjithë eksperiencën. /Shekulli Print/Entela Resuli/